Bëhen 23 vjet nga vrasja e 86 civilëve në Kralan të Gjakovës
Ishte 2 prilli i vitit 1999 kur në Kralan të Gjakovës forcat ushtarake dhe policore serbe ndanë disa qindra djem dhe burra nga grupi prej 1500 shqiptarëve që kishin braktisur vatrat për t’u shpëtuar krimeve serbe që kishin përfshirë tërë Kosovën. Të tjerët – gra, fëmijë dhe pleq, ishin urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri.
Dy ditë më vonë, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës, të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur.
Që nga ajo ditë, që nga ai moment, askush nga ta më nuk është parë i gjallë.
Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në vitin 2013 kishte bërë kallëzim penal ndaj disa eprorëve të Ushtrisë jugosllave për krime lufte në Kralan. Me këtë rast, u njoftua se trupat e 18 djemve dhe burrave të ndaluar, janë gjetur në një varrezë masive pranë liqenit të Peruçës, në Bajina Bashta të Serbisë.