Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se nga prokuroritë Themelore janë ngritur 19 aktakuza kundër 31 personave, për vepra të ndryshme penale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar 10 persona, si dhe pranë gjykatave kompetente janë parashtruar shtatë kërkesa për caktim të paraburgimit dhe arrestit shtëpiak ndaj 12 personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale, përcjell klankosova.tv.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar tre persona, ka paraqitur katër kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë personave, një kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj tre personave, si dhe ka ngritur tetë aktakuza kundër tetë personave për vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë, katër persona të dyshuar, si dhe pranë gjykatës kompetente ka parashtruar dy kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj dy personave. Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur tri aktakuza kundër pesëmbëdhjetë personave, për vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorëve kujdestar, ka ndaluar dy persona në kohëzgjatje prej 48 orësh për kryerjen e veprave të ndryshme penale.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një person dhe ka ngritur një aktakuzë kundër një personi.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur shtatë aktakuza kundër shtatë personave, për vepra të ndryshme penale.