Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur sot se gjatë dy operacioneve të koordinuara në qytetet e Prizrenit dhe Gjakovës janë arrestuar 16 shtetas serbë.
Ai tutje deklaroi se njëri ndër ta është edhe një i afërm i të dyshuarit kryesor për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, përcjell Gazeta Papirus.
“Hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojevic, nofka “Gandi”. Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojevic, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe.”