Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot u bë 41 vjeçe. Karrierën politike, Osmani e filloi në moshë të re si aktiviste e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të vazhduar me postin e deputetes për tre mandate.
Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit në vitin 2020, ajo u bë ushtruese detyre e postit të presidentes.
Ndërsa, në vitin 2021, Vjosa Osmani ishte gruaja e dytë që u zgjodh presidente, pas Atifete Jahjagës, që ishte e parë udhëheqëse në krye të shtetit.
Para Osmanit, ishte Jahjaga e cila në moshën 36 vjeçare e mori në duar timonin e shtetit dhe shërbeu si kryetare e Kosovës deri në moshën 41 vjeçare, po aq vjet sa sot i mbushi Osmani.
Udhëheqësja e Kosovës sot renditet edhe si presidentja më e re në mesin e 15 sosh që drejtojnë vendet e tyre nëpër botë.
15 shtete në botë, përfshirë Kosovën, aktualisht udhëhiqen nga gratë. Hungaria, Sllovakia, Sllovenia, Greqia, Moldavia, India, Peruja, Trinidad dhe Tobago, Hondurasi, Tajvani, Singapori, Gjeorgjia, Etiopia dhe Barbadosi.
Evropa prin me shtatë presidente në: Kosovë, Greqi, Hungari, Slloveni, Sllovaki, Moldavi, Gjeorgji (vend transkontinental).
Pas saj renditet Amerika e Jugut me katër presidente në: Peru, Honduras, Trinidad dhe Tobago, Barbados. Pasuar nga Azia me tri: Indi, Tajvan dhe Singapor.
Në kontinentin e Afrikës është një presidente, ajo e Etiopisë, ndërkaq në Amerikën e Veriut nuk udhëheq asnjë grua e as në Australi.
Më poshtë e gjeni listën e presidenteve që udhëheqin nëpër botë. Renditja është bërë nga më e reja në moshë te më e vjetra:
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu (41 vjeç) – është politikane kosovare që shërben si presidentja e 5-të dhe aktuale e Kosovës që nga 4 prilli 2021. E lindur dhe e rritur në Mitrovicës, Osmani u bë aktiviste politike dhe studioi drejtësi në Universitetin e Prishtinës dhe në Shkollën e Drejtësisë në Universitetin e Pitsburgut në ShBA.
Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak (45 vjeç) – është politikane hungareze që shërben si presidente aktuale e Hungarisë, pasi është zgjedhur në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022. Novak është gruaja e parë që mban presidencën, si dhe presidentja më e re në historinë e Hungarisë, e zgjedhur në moshën 44-vjeçare.
Presidentja e Sllovakisë, Zuzana Caputova (49 vjeç) – është një politikane, avokate dhe aktiviste mjedisore sllovake. Ajo është presidentja e pestë e Sllovakisë, post që e mban që nga 15 qershori 2019. Caputova është gruaja e parë që mban presidencën, si dhe presidentja më e re në historinë e Sllovakisë, e zgjedhur në moshën 45-vjeçare.
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu (50 vjeç) – është politikane e cila është presidente e vendit që nga 24 dhjetor 2020. Ajo është ish-udhëheqëse e Partisë së Veprimit dhe Solidaritetit dhe ish-kryeministre e Moldavisë nga 8 qershor 2019 deri më 14 nëntor 2019.
Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar (55 vjeç) – është një avokate dhe autore sllovene, që shërben si presidente e vendit që nga 23 dhjetori 2022. Ajo është ish-komisionare për informacion, gazetare dhe ish-presidente e Kryqit të Kuq Slloven.
Presidentja e Perusë, Dina Boluarte (60 vjeç) – është politikane, nëpunëse civile dhe avokate peruane që aktualisht shërben si president e vendit që nga 7 dhjetori 2022. Ajo kishte shërbyer si zëvendëspresidente e parë dhe ministre në Ministrinë e Zhvillimit dhe Përfshirjes Sociale në mandatin e presidentit Pedro Castillo.
Presidentja e Trinidad dhe Tobago, Christine Kangaloo (61 vjeç) – është politikane nga Trinidad, e cila u bë presidente e Trinidad dhe Tobago këtë vit. Ajo ishte presidente e Senatit të Trinidad dhe Tobago nga viti 2015 deri në dorëheqjen e saj për të kandiduar për president në vitin 2023.
Presidentja e Hondurasit, Xiomara Castro (63 vjeç) – është presidentja e 56-të e Hondurasit, në detyrë që nga janari 2022. Ajo është presidentja e parë femër e vendit, pasi ka shërbyer më parë si zonjë e parë gjatë presidencës së bashkëshortit Manuel Zelaya.
Presidentja e Indisë, Droupadi Murmu (64 vjeç) – është një politikane dhe ish-mësuese indiane, e cila shërben si presidentja e 15-të dhe aktuale e Indisë që nga viti 2022. Ajo është personi i parë që i përket komunitetit fisnor dhe gjithashtu gruaja e dytë pas Pratibha Patil që mban këtë detyrë.
Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou (66 vjeç) – është një gjyqtare greke e cila është presidente e vendit që nga 13 marsi 2020. Ajo u zgjodh nga parlamenti helen për të pasuar Prokopis Pavlopoulos në këtë pozitë.
Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen (66 vjeç) – është një politikane tajvaneze që ka shërbyer si presidente e Republikës së Kinës që nga viti 2016. Tsai është presidentja e parë femër e Tajvanit. Ajo shërbeu si kryetare e DPP nga viti 2008 në 2012, 2014 në 2018v si dhe nga viti 2020 në vitin 2022.
Presidentja e Singaporit, Halimah Yacob (68 vjeç) – një politikane dhe ish-avokate nga Singapori, e cila ka shërbyer si presidentja e tetë e Singaporit që nga viti 2017. Para presidencës së saj, ajo shërbeu si kryetare e parlamentit midis vitit 2013 dhe 2017. Ajo është presidentja e parë femër në historinë e Singaporit.
Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili (71 vjeç) – është një politikane dhe ish-diplomate franko-gjeorgjiane, e cila aktualisht shërben si presidentja e pestë e Gjeorgjisë, në detyrë që nga dhjetori i vitit 2018. Ajo është gruaja e parë që zgjidhet si presidente e vendit, një pozicion që do të qëndrojë për një mandat gjashtëvjeçar.
Presidentja e Etiopisë, Sahle-Work Zewde (73 vjeç) – është një politikane dhe diplomate etiopiane, e cila është presidente që nga viti 2018, duke u bërë gruaja e parë që mban këtë detyrë në Etiopi. Ajo u zgjodh presidente unanimisht nga anëtarët e Asamblesë Parlamentare Federale më 25 tetor 2018.