Kosova shënon sot për herë të parë 14 Prillin – Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, në shenjë solidarizimi me rreth 20.000 persona të cilët vlerësohen se kanë qenë viktima të dhunës seksuale para 24 vjetësh, gjatës luftës së fundit.
Komisioni Qeveritar në Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale nderon të gjithë personat e mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, duke shprehur përkushtimin më të lartë për të vazhduar punën e palodhshme në procesin e njohjes së statusit të tyre.
“Sot më shumë se kurrë, nderojmë të mbijetuarat/it e dhunës seksuale, njohim vuajtjen e tyre dhe shprehim respektin tonë më të thellë për të gjithë ata. Komisioni Qeveritar ndër vite ka bërë të pamundurën që të mbështes të mbijetuarat/it duke i trajtuar me dinjitetin më të lartë që meritojnë dhe presin nga ne.
Komisioni Qeveritar edhe në të ardhmen do të vazhdojë punën e tij profesionale dhe në qendër të angazhimit do të ketë gjithnjë të mbijetuarat/it. Komisioni siguron konfidencialitet gjatë shqyrtimit dhe vendosjes për rastet që aplikojnë për e njohjen e statusit viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Komisioni qeveritar më tej thekson se të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës kanë nevojë për përkrahje të vazhdueshme nga institucionet, për më shumë mbështetje nga familja, komuniteti dhe shoqëria.
“Andaj me shënimin e kësaj dite i bëjmë thirrje, të gjithë shoqërisë që të mbështesin të mbijetuarit për tu përballur me pasojat e krimeve mizore të cilat i përjetuan, dhe t’ju qëndrojnë pranë në rrugëtimin për realizimin e plotë të të drejtave të tyre ligjore.
Komisioni Qeveritar do të vazhdoj punën e tij në ngritjen e ndërgjegjësimit për krimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe praktikat e tij që tashmë janë njohur si shembull pozitiv ndërkombëtarisht”, thuhet në deklaratë.