Sot janë bërë 10 vjet që kur Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë nisur dialogun për liberalizimin e vizave.
Por, edhe pas 10 vitesh Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, që nuk ka ende liberalizim të vizave, pavarësisht përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
Instituti Epik përmes një postimi në Facebook shkruan se më 19 janar 2012, Kosova dhe BE-ja kanë filluar dialogun për liberalizimin e vizave.
Ky institut ka publikuar një infografikë ku ka krahasuar kohëzgjatjen e procesit të liberalizimit të vizave të Kosovës me vende të tjera të rajonit dhe më gjerë.
Nga infografikë shihet se Kosova është vendi i vetëm që procesi i liberalizimit të ketë zgjatur kaq shumë.
Procesi i liberalizimit të vizave nga fillimi i dialogut për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën ka zgjatur nga katër vite, për Shqipërinë dhe Bosnjën tri vite.
Ndërkaq, nga dy vite ka zgjatur për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.
Kujtojmë se Franca dhe Holanda janë dy vendet skeptike për liberalizimin e vizave, ndërsa Franca nga janari i 2022-së për gjashtë muaj mban presidencën e radhës të BE-së.
Liberalizimi i vizave Kosovës i është premtuar që nga viti 2011. Ndërkaq, në vitin 2018 Komisioni Evropian ka konsideruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe i ka rekomanduar shteteve anëtare të BE-së heqjen e regjimit të vizave. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.