Sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Edinson Cavani, e ka pranuar se emërimi i Ole Gunnar Solskjaer në pozitën e trajnerit të Manchester Unitedit ka pasur një efekt pozitiv, si dhe ka shtuar se tani ata duhet të përgatitem më shumë për përballjen me “Djajtë e kuq”.
Jose Mourinho u shkarkua nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit më 18 dhjetor të vitit të kaluar për shkak të rezultateve dhe paraqitjeve të dobëta të skuadrës së tij deri atëherë, transmeton Gazeta Express.
Në vend të tij, vetëm 24 orë më vonë, u emërua ish-sulmuesi legjendar i klubit, Solskjaer, i cili do të jetë trajnerit i skuadrës angleze deri në fund të këtij sezoni, kur do të kthehet te klubi të cilin e drejtonte më herët, Molde nga Norvegjia.
Përderisa me Mourinhon dukej se sezoni kishte marrë fund për Manchester Unitedit, tani djelmoshat e Solskjaer kanë marrë më shumë vetëbesim për shkak se që nga emërimi i trajnerit të ri, ata i kanë fituar të gjitha ndeshjet e zhvilluara, gjithsej gjashtë.
Sa ishte Mourinho trajner, Manchester Unitedi e kishte siguruar një vend në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, ku ata do të përballen me kampionin francez, PSG-në. Ndeshja e parë do të zhvillohet në Old Trafford më 12 shkurt dhe Cavani ka thënë se tani me ndryshimet brenda klubit anglez, ata do të duhet të përgatiten më shumë.
“Manchester, ne duhet të mendojmë për veten dhe jo për ekipet e tjera. Duhet të mendojmë për atë që mund ta bëjmë ne si skuadër, t’i kuptojmë cilësitë tona dhe gabimet tona e të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme për ndeshjen e radhës”, ka thënë Cavani.
“Ne e dimë se Manchester Unitedi ka kaluar nëpër një periudhë mjaft negative. Ndryshimi i trajneri e ka sjellë me vete një ndryshim në këtë energji gjithashtu. Ata po kalojnë në një situatë më pozitive tani, me rezultate më të mira”.
“Natyrisht, kjo gjë i motivon ata edhe më shumë dhe kjo është diçka shumë normale. Por, ne tani duhet t’i studiojmë ata më shumë, veçanërisht kur i afrohemi edhe më shumë kohës së ndeshjes, jo shumë më herët”.