Kur kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në seancën ku parashihet votimi i marrëveshjes ndërkombëtare për Demarkacion, deri më tash janë siguruar 77 vota. Mirëpo, sipas kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, kjo marrëveshje do të kalojë, pasi që të mërkurën ratifikimin e saj do ta ndihmojnë disa deputetë të Vetëvendosjes.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se segmente të caktuara të Vetëvendosjes, individualisht, kanë shprehur gatishmërinë të votojnë për Demarkacionin.
“Dihet një fakt se Lëvizja Vetëvendosje, përveç segmentit të caktuar që ka një gatishmëri ndoshta individuale të votohet demarkacioni, të shohim ditën e mërkurë, është edhe Lista Serbe e cila ende nuk e ka shprehur qëndrimin e vet”, ka thënë ndër të tjera Veseli në një intervistë për Ekonomia Online.
Mirëpo një deklaratë të tillë as e kanë pohuar e as që e kanë mohuar nga Vetëvendosja.
Deputeti Sami Kurteshi, në një përgjigje elektronike për Gazetën Express, thotë se informatat që i posedon kryetari i Kuvendit nuk dëshiron t’i komentojë, duke aluduar se ky i fundit mund të ketë informata sekrete.
“Nëse ka informata le t‘i thotë. Ai është shef i SHIK-ut, sigurisht ka informata konkrete. Por unë nuk interpretoj deklarata të institucioneve të sigurisë dhe spiunazhit”, ka thënë Kurteshi për Express.
E derisa LDK-ja është bindur për ratifikimin e marrëveshjes, ata po angazhohen që të mbledhin vota edhe te partia e Vetëvendosjes.
Deputeti i Lidhjes Demokratike Anton Quni, përveç që është bindur vetë për votimin e Demarkacionit, siç duket ka vendosur të lobojë edhe në Vetëvendosje.