Nëse Reali është këtu ku është sot, në Champions League, është e gjitha meritë e Cristiano Ronaldos.
Pas barazimit 1-1 në “Santiago Bernabeu” me Athletic Bilbaon, AS ka bërë një shkrim të gjatë për Real Madridin e Zinedine Zidane, që varet i gjithi nga Cristiano Ronaldo.
Goli në Bernabeu për portugezin ishte i 22-ti në 12 ndeshje me radhë – ecuria më e mirë e CR7 që kur iu bashkua Reali në vitin 2009 dhe i 25-ti në 15 ndeshjet e fundit – statistika që tregojnë se ai është në një formë shumë të mirë.
Por, pavarësisht kësaj, Los Blancos janë të vetëdijshëm se ashtu siç i ka kushtuar në La Liga e Copa del Rey, forma zhgënjyese e Karim Benzema dhe Gareth Bale mund t’i kushtojë edhe në Champions, pasi skuadra po varet vetëm nga golat e Ronaldos.
Ata edhe njëherë treguan se nuk janë në më të mirën e tyre dhe me ta në fushë, Reali nuk është aspak më e mirë – madje AS shkon aq larg sa shkruan se “me ta në fushë, Reali i bën favor kundërshtarëve”, transmeton Gazeta Express.
Pas paraqitjes në Bernabeu dhe formës zhgënjyese të Bale e Benzema, Los Blancos frikësohen se do të eliminohen nga Champions League nga Bayern Munich pasi janë të vetëdijshëm se jo gjithmonë Cristiano Ronaldo i vetëm do ta ndihmojë skuadrën me gola.
“Por, tashmë një gjë është e sigurt – pas shumë sezoneve, Bale e Benzema duhet të nisin e të kërkojnë skuadra për sezonin e ardhshëm pasi tashmë është mbushur kupa dhe largimi i tyre është i paevitueshëm”, përfundon shkrimin AS.