Pas shqetësimeve të ngritura në opinion për gjendjen e varrit të heroit të kombit, Bekim Berisha – Abeja, është bërë një vizitë në vendin e ngjarjes nga përfaqësues të familjes dhe përfaqësues institucionalë lokalë.
Asambleisti i AAK-së në Pejë, Naim Bytyqi, bashkë me motrën e heroit, Zyrafeten, si dhe familjarët Miftarin dhe Visarin, kanë vizituar sot varrin e Abejës në Graboc.
Sipas Bytyqit, pas vëzhgimit në terren, është konstatuar se nuk bëhet fjalë për ndonjë akt dëmtimi apo fyerje të varrit. Shkronjat në pllakën përkujtimore janë mbuluar përkohësisht me qëllim që të rilyhen me ngjyrë të re, si pjesë e një ndërhyrjeje teknike për mirëmbajtje.
“Gabimi në këtë rast ka qenë se nuk është njoftuar e gjithë familja për punimet që janë bërë në varr,” ka deklaruar Bytyqi, duke shtuar se “është e rëndësishme që veprimet përkujtuese dhe përkujdesjet të bëhen me transparencë dhe në koordinim me familjarët e heroit.”
Reagimi i plotë:
Isha te varri i heroit Bekim Berisha Abeja në Graboc, së bashku me motren e Bekimit Zyrafeten, Miftarin dhe Visarin pamë nga afër varrin e heroit, sipas pamjeve të varrit të heroit, po mendojmë se nuk ka të bëjë me njollosje por me mbulim të shronjave më qëllim për t’i rregulluar me ngjyrë të re, ndaj ju njoftojmë se nuk ka lidhje me dëmtimin e varrit të heroit.
Qëllimi ka qën rregullimi i shkronjave, gabimi në këtë rast është se nuk është njoftuar e tër familja për punimin e varrit!
Abeja është heroi i të gjithëve!
