Në Kuvendin Komunal të Prishtinës nuk u miratua raporti financiar i komunës për periudhën janar-dhjetor 2017.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti është përballë më opozitë serioze sot në Kuvendin e Komunës së Prishtinës. Pos opozitës, e kritikojë VV-ja dhe partitë në bashkëqeverisje AAK e AKR.
Disa asamblistë të VV-së që janë të krahut të Albin Kurtit sot kanë votuar kundër raportit financiar të komunës për periudhën janar-dhjetor 2017. Kundër kanë votuar edhe disa asamblistë të partisë në pushtet, sikundër edhe opozita LDK e PDK, shkruan lajmi.net.
Raporti financiar nuk u miratuar pasi kundër votuan 33 asamblistë, 9 votuan pro dhe 6 të tjerë nuk kanë votuar.
Sokol Havolli raportin e paraqitur nga kryetari Shpend Ahmeti e cilësoi qesharak.
“Ky në fakt nuk është raport financiar. Është raport jashtëzakonisht qesharak. Unë e di pse kryetari i komunës nuk është sot këtu pasi që ky nuk është raport”, tha Havolli.
Havolli tha se raportet e mëhershme financiare ishin më të mira.
Qesharak raportin e cilësoi edhe Blerand Stavileci.
“Nëse ka diçka që sot mund të përmblidhet si diçka qesharake është ky raport”, tha Stavileci.
Në mbledhjen ku u diskutua për raportin mungoi kryetari Shpend Ahmeti, ndërsa Stavileci e kritikoi mungesën e tij.
Raporti financiar për periudhën janar-dhjetor 2017 me përmbajtjen aktuale nuk i përmbush kriteret ligjore të një organizate buxhetore, siç është komuna e Prishtinës. Kështu ka konstatuar edhe Iniciativa për Progres –INPO në një analizë që i ka bërë këtij raporti.
Komuna nuk ka arritur t`i shpenzoj mjetet në dispozicion nga kategoria e investimeve kapitale, ku nga afër 32 milion euro të parapara për investime kapitale, komuna ka shpenzuar vetëm 17 milion e 721 mijë euro, apo vetëm 56.48% të mjeteve në dispozicion. Krahasuar me vitet paraprake 2016 dhe 2015, vërejmë se niveli e ekzekutimit të të buxhetit për investime kapitale kapitale është në rënie, meqë në vitin 2016, nga kjo kategori buxhetore ishin shpenzuar 58% të mjeteve në dispozicion, ndërkaq 62% në vitin 2015.