Profesori universitar, Blerim Latifi, ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili të dielën deklaroi se në një lokal në Gjakovë nuk iu ka shërbyer disa të rinjve, vetëm për faktin që janë pjesë e një komuniteti joshumicë. Latifi thotë se pas këtij rasti ndihet moralisht i thyer.
Latifi ka shkruar në Facebook se shqiptarët për gati 100 vjet e kanë paguar shtrenjtë racizmin nga serbët.
“Për gati 100 vjet ne e kemi paguar shtrenjtë këtë racizëm të serbëve për ne. Me gjakun tonë. Me mijëra e mijëra fëmijë të mbetur jetimë e gra të përdhunuara. Me vuajtjet dhe dhimbjet e tona të panumërta. Prandaj, kur dëgjoj se si sot shqiptarë të Kosovës bëjnë veprime e sjellje raciste ndaj romëve, siç ndodhi dy ditë më parë në Gjakovë duke i përzënë nga lokali vetëm pse ishin romë, ndihem moralisht i thyer. I thyer, sepse nuk e shmangi dot frikën se mos kemi përvetësuar diçka të errët nga përsektuesit tanë të djeshëm”, ka shkruar Latifi.
Ai thotë se rasti i djeshëm ia kujton poezinë “Testament” të poetit Kujtim Paçaku.
“Dhe sa herë dëgjoj për raste të tilla, si ky i fundit në Gjakovë, më kujtohet poezia “Testament” e poetit të ndjerë rom, Kujtim Paçakut, njëri ndër poetët më të mirë të Kosovës, por që injorohet e nuk përfshihet kurrë në tekstet tona shkollore, për të vetmen arsye se është rom”, ka shkruar Latifi.
Postimi i plotë i Latifit:
Në vitin 1913 Vladan Gjorgjeviq, ish kryeministër i Serbisë, boton librin “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha”. Libri u adresohej publikut intelektual dhe kancelarive europiane. Qëllimi ishte që ato të bindeshin se shqiptarët nuk e meritonin të kishin shtetin e tyre kombëtar. “Faktet” që sillte për këtë ishin thjesht një katalog i racizmit të pastër antishqiptar. Aty ne quheshim njerëz barbarë, pa histori, me mendësi orientale, të paftë për zhvillim, civilizim e vetëqeverisje. Dhe, duke mos u ngopur me këto cilësime raciste, Gjorgjeviq u shkruan europianëve se “shqiptarët edhe biologjikisht janë të prapambetur, sepse shumë prej tyre janë njerëz me bisht”.
Për gati 100 vjet ne e kemi paguar shtrenjtë këtë racizëm të serbëve për ne. Me gjakun tonë. Me mijëra e mijëra fëmijë të mbetur jetimë e gra të përdhunuara. Me vuajtjet dhe dhimbjet e tona të panumërta.