Qeveria në detyrë thotë se votat e diasporës do ta përcaktojnë formimin e qeverisë së ardhshme, duke aluduar se pas numërimit të këtyre votave LVV-ja, do të udhëheqë e vetme qeverinë e ardhshme. Në këtë kontekst, Albin Kurti tha se qytetarët po presin që LVV-ja, të përmbushë obligimin që mori në votimet e 9 shkurtit.
“Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë. Deri atëherë, nga ju të nderuar kabinet qeveritar, kolegë, pres të vazhdoni punët e mira me po të njëjtin ritëm”, tha Kurti.
Tutje kryeministri në detyrë Albin Kurti, kërkoi nga KQZ-ja të ketë kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuese. Megjithatë, në bazë të rezultateve aktuale, asnjë subjekt politik nuk mund ta formojë qeverinë e vetme. Ndërsa, zërat se LVV-ja tashmë ka siguruar deputet të PDK-së, të cilët, siç thuhet, do ta votojnë qeverinë të cilën e udhëhequr nga LVV, i ka hedhur poshtë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku. Ai në një përgjigje të shkurtër për RTV21, i bëri thirrje LVV-së, që të ruaj deputetët që garuan në listën e saj zgjedhore.
Por, pavarësisht trafikimit eventual të deputetëve, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shemsi Jashari, vlerëson se LVV-ja, nuk ka vullnet ta formojë qeverinë e ardhshme nga frika e marrjes së obligimeve ndërkombëtare të pranuara nga Kurti.
“Marr parasysh se kemi administratën Trump në njërën anë dhe tjetërn anë një numër obligimesh që Kurti mori në Bruksel dhe ankesin në Ohër nuk po shihet disponim tek ai që ta krijoi qeverinë sepse ai e dinë që e pret një presion për zbatimin e këtyre marrëveshjeve”, tha Jashari
Njohës të rrethanave politike vlerësojnë se qeveria e ardhshme shumë lehtë mund të formohet edhe nga partitë opozitare, marrë parasysh se janë të dëshmuar që ata të marrin vendime të cilat janë jo populiste, siç është dërgimi i draft-statutit të asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, që është kërkesë dhe kusht i institucioneve të Kosovës për rrugëtimin e saj euro-atlantik.