‘Krahu i të pakënaqurve’ të cilët kanë dhënë dorëheqje nga funksionet e tyre brenda Lëvizjes Vetëvendosje, sot pritet të dorëzojnë kërkesë në administratën e Kuvendit të Kosovës për krijim e një Grupi të ri Parlamentar.
Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” një burim i afërt me ‘Krahun e të dorëhequrve’. Sipas këtij burimi, janë 13 deputetë të cilët do të largohen nga Grupi Parlamentar i VV-së për t’u bërë pjesë e një grupi të ri.
“Grupi i deptuetëve që ka dhënë dorëheqje nga funksionet e tyre brenda Lëvizjes Vetëvendosje, sot do të dorëzojë kërkesë për krijimin e një Grupi të ri Parlamentar i cili do të përbëhet nga 13 anëtarë”, tha burimi i njëjtë.
Ndërkohë një kërkesë të tillë administrata e Kuvendit të Kosovës ende nuk e ka pranuar. Lajmin e ka konfirmuar për “Gazeta Blic” sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi.
“Deri në këto momente nuk është adresuar asjnë kërkesë në administratë lidhur me çështjen e ngritur”, tha Krasniqi.
Ndryshe, zhvillimet e kohëve të fundit në Lëvizje Vetëvendosje, kanë bërë që të dalin në sipërfaqje ‘telashe’ të mëdha brënda këtij subjekti politik. Ato rezultuan edhe me dorëheqjen e dhjetëra zyrtarëve të lartë nga kjo parti, duke nisur nga ish-drejtuesi i saj Visar Ymeri, ish-anëtarja e kryesisë, Aida Dërguti, ish-sekretari Dardan Molliqaj e të tjerë.
Vetëvendosje formalisht është ndarë në dy tabore të cilat në opinion po njihen si “grupi i Molliqajt” dhe “grupi i Kurtit”./Gazeta Blic/