Një grup muzikor me emrin The Velvet Sundown ka pasur këngët e dëgjuara qindra mijëra herë në Spotify që nga paraqitja e tyre disa javë më parë – pa qenë e qartë se çfarë është në të vërtetë.
Grupi ka një faqe të verifikuar në platformën e transmetimit muzikor, me mbi 850,000 dëgjues mujorë, raporton BBC.
Megjithatë, asnjëri nga katër muzikantët e emëruar në grup nuk ka dhënë ndonjë intervistë apo nuk ka llogari të njohura në rrjetet sociale, dhe nuk ka asnjë regjistrim për ndonjë performancë live.
Kjo ka nxitur akuza se ata dhe muzika e tyre janë të gjeneruar nga inteligjenca artificiale (AI) – diçka që grupi e mohon në rrjetet sociale.
Grupi nuk iu përgjigj kërkesës së BBC-së për një intervistë.
Duke e bërë situatën edhe më konfuze, Rolling Stone US raportoi se zëdhënësi i grupit kishte pranuar që muzika e The Velvet Sundown ishte gjeneruar duke përdorur një mjet të AI-së të quajtur Suno – vetëm që revista të raportonte pak më vonë se edhe vetë zëdhënësi ishte mashtrim.
Burri, i cili përdor emrin Andrew Frelon, tha se gjithçka ishte një komplot i qëllimshëm për të mashtruar mediat.
Një deklaratë në faqen e grupit në Spotify thotë se grupi “nuk ka asnjë lidhje me këtë individ, dhe as ndonjë provë që konfirmon identitetin apo ekzistencën e tij”.
Llogaria në X që pretendon të jetë kanali zyrtar i grupit, është gjithashtu e rreme, thuhet më tej.
Profesorja Gina Neff, nga Qendra Minderoo për Teknologji dhe Demokraci në Universitetin e Kembrixhit, thotë se kjo ngre një problem që shkon përtej një grupi të vetëm.
“Nëse ky është apo jo një grup i gjeneruar nga AI mund të mos duket me rëndësi”, më tha ajo.
“Por gjithnjë e më shumë, ndjenja jonë kolektive për realitetin duket e lëkundur. Historia e The Velvet Sundown ushqen frikën që kemi për humbjen e kontrollit ndaj AI-së dhe tregon sa e rëndësishme është mbrojtja e informacionit online”./KP/