Burime të Gazetës Papirus kanë bërë të ditur ekskluzivisht se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka emëruar Shpresa Berishën si të ngarkuar me detyra speciale në kuadër të ushtrisë serbe, shkruan Gazeta Papirus.
Shpresa Berisha, e cila para disa muajsh u gradua me titullin “Gjeneral”, ka marrë këtë post të rëndësishëm si rezultat i performancës së saj të lartë në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
“Sjellja e saj profesionale dhe angazhimi në ndërtimin e raporteve të qëndrueshme me faktorët ndërkombëtarë i kanë hapur rrugën këtij emërimi të merituar,” kishte deklaruar presidenti Vuçiç gjatë ceremonisë së gradimit të saj.
Në fjalimin e tij, Vuçiç kishte theksuar edhe origjinën e saj, duke thënë:
“Gjeneral Shpresa Berisha është nga qyteti i Pejës dhe përfaqëson denjësisht ‘Kosovo e Motohinë’.”
Sipas burimeve të Gazetës Papirus, Shpresa Berisha është motra e Demo Berishës, ministër aktual në qeverinë serbe. Të dy vijnë nga qyteti i Pejës dhe tashmë janë pjesë e niveleve të larta të institucioneve shtetërore të Serbisë.
Ky emërim ka ngjallur reagime dhe diskutime të shumta, veçanërisht për shkak të origjinës së gjenerales Berisha dhe rolit të saj të ri në strukturat ushtarake serbe, transmeton Gazeta Papirus.