Mosmarrëveshjet që lindin përmes komunikimeve nëpër rrjete sociale dhe publikimi i materialeve të shpeshherë çojnë në sherre e konflikte verbale, që eskalojnë edhe në kanosje serioze. Një rast i tillë u denoncua të ketë ndodhur së fundmi në Shtime dhe si rezultat një person u arrestua, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari ka publikuar fotografi me mbishkrime ndaj një personi tjetër, për motive akoma të panjohura.
Sinjali ka mësuar se personi i dyshuar për këtë rast është Flamur Ruhan, rreth 36-vjeçar.
Bazuar në informacionet e para, i dyshuari ka publikuar pamje të viktimës në rrjetin social TikTok dhe ka bashkëlidhur një tekst që ka përmbajtje kërcënuese.
Viktima e ka denoncuar rastin dhe pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, i dyshuari është arrestuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari përfundoi nën masën e ndalimit policor dhe ndaj tij është iniciuar hetimi në drejtim të veprës penale “Kanosja”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.