Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi është ndaluar për 48-orë me urdhër të Prokurorisë në Prishtinë, tha prokuroria në një njoftim për media.
Prokuroria tha se bashkë me Nikçin është ndaluar edhe Naim Shalaku, ushtrues i detyrës së Menaxherit të Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Inspektoratin e Punës.
Të dy dyshohen për vepra që ndërlidhen me korrupsionin.
Prokuroria tha se Nikçi dhe Shalaku janë ndaluar me urdhër të një prokurori të Departamentit të Krimeve të Rënda.
Nikçi dyshohet për tri vepra penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës dhe Përdorimi i paautorizuar të pasurisë.
Ndërsa, Shalaku dyshohet për dy vepra penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës në vazhdimësi.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit tha se brenda afatit ligjor do të paraqesë masën për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, tek gjyqtari i procedurës paraprake në gjykatë.
Hekuran Nikçi ishte emëruar në pozitën e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës me vendim të kryeministrit Albin Kurti.
Hekuran Nikçi për më shumë se dy vjet, e mbajti paligjshëm pozitën e Kryeinspektorit të Punës. Gjykata Themelore, Apeli dhe Supremja, konstatuan se emërimi i tij ishte i jashtëligjshëm, pasi duhej të shpallej konkursi për këtë pozitë.