Kryeministri Albin Kurti dje ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të bëj kujdes të shtuar në procesin e numërimit të votave. Para kabinetit qeveritar, ai ka thënë se kjo duhet të bëhet për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Por, këtë kujdes nuk po e tregon anëtari i VV-së në KQZ, Alban Krasniqi. Këtij të fundit po i pengon hetimi i ‘trenit bullgar” nga KQZ-ja.
Në mbledhje të Qeverisë, kryeministri Kurti ka thënë se është në pritje të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
Ai ka bërë me dije se qytetarët po presin që ai të formojë Qeverinë e re.
“Kemi hyrë në fazën finale, të procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit. Sot fillon numërimi i votave të diasporës, sipas njoftimeve të KQZ, më së largu deri javën tjetër pritet të kemi rezultatet përfundimtare. Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë. Deri atëherë, nga ju të nderuar kabinet qeveritar, kolegë, pres të vazhdoni punët e mira me po të njëjtin ritëm”, është shprehur Kurti.
Për këtë arsyeje, Kurti ka thënë që KQZ-ja duhet shtuar kujdesin për mbrojtjen e vullnetit qytetar.
“Të gjithë presim nga KQZ edhe më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve për të përmbyllur një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm, demokratik me pjesëmarrje masive të qytetarëve”, ka thënë Kurti në mbledhjen e djeshme të Qeverisë.
Mirëpo, kaq i zellshëm nuk është treguar anëtari i VV-së në KQZ, Alban Krasniqi.
Në mbledhjen e fundit të KQZ-së, e cila është mbajtur të martën, Krasniqit i ka penguar ideja e anëtarit të PDK-së në KQZ, Ilir Gashit, që ka kërkuar formimin e një komisioni nga KQZ-ja për të hetuar fenomenin e “trenit bullgar” në Gjakovë.
Sipas Krasniqit, krijimi i një komisioni të tillë është i panevojshëm.
“Këndvështrim komplet i njëanshëm dhe politik e jo profesional i kolegut. Sepse për kutinë në Gjakovë organet veç janë duke u ndërmarrë dhe nuk kemi nevojë me e ndërmarr një veprim tjetër, përveç organeve të hetuesisë që i kanë marr materialet, i shikojnë dhe në bazë të kësaj ato vijnë në një raport dhe në bazë të asaj në veprojmë”, ka thënë Krasniqi.
Në këtë mbledhje, Gashi i PDK-së, ka kërkuar nga drejtori i sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, ngritjen e një komisioni hetimor
Ai ka bërë me dije se një gjë e tillë do ta përshpejtonte procesin.
“Kërkoj nga ju që ta bëjë një komision për të hetuar edhe kutinë në Gjakovë, për të cilën është thënë se ka qarkulluar treni bullgar, kuti 020706, e cila është objekt hetimi. Ajo kuti është numëruar. Kërkoj që të largohet nga rezultati deri në përfundim të hetimit. Për këtë ju duhet ta bëni një komision edhe brenda, pavarësisht përfundimeve që mund të dalin nga organet e drejtësisë”, ka thënë Gashi.
Para një jave, gazeta Nacionale ka raportuar se hetuesit policorë se në kutinë 020706, në shkollën “Zekeria Rexha” në Gjakovë, kanë gjetur dy fletëvotime falco.
Në këtë mënyrë, dikush nga ky vendvotimi ka nxjerr jashtë dy fletëvotime origjinale.
Burimet e gazetës brenda prokurorisë i kanë thënë gaztës se të dy fletëvotime kanë qenë ‘votë’ për Lëvizjen Vetëvendosjen dhe kandidatët e kësaj partie nga Gjakova.
Pas raportimit, disa detaje për këtë rast i ka dhënë edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë.
“Siç ju kemi njoftuar Prokuroria Themelore Gjakovë, lidhur me një (1) rast të ditës së zgjedhjeve, ju njoftojmë se ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve lidhur me këtë rast”, ka bërë me dije Prokuroria në Gjakovë.
Dyshimet e para ndaj këtij fenomeni manipulimi zgjedhor i pati dhënë nga Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës.