Kryeministri Albin Kurti ka thëmë se Qeveria e tij beson thellësisht në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, por se qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njejtë, raporton Express.
Në Kuvendin e Kosovës, ku po mbahet debat parlamentar lidhur me situatën në veri, Kurti ka thënë se ka pasur jo vetëm konsultim, por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë.
“Qeveria ime beson thellësisht në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian e më gjerë. Ne jemi thellësisht transatlantik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian bashkë me njëra tjetrën dhe bashkë me neve. Por, qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njejtë. Serbia është vend autokratik, Serbia nuk është vend demokratik. Në Serbi shtypen liritë dhe të drejtat e njeriut, shtypet opozita dhe Rusia e ka qëndrën e saj rajonale”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka thënë se e kemi dëshmuar se “jemi partner të denjë” të miqve ndërkombëtarë me avancimin demokratik e ekonomik të Kosovës.
“Ne e kemi dëshmuar se jemi partner të denjë të miqve tanë ndërkombëtarë, me avancimin tonë demokratik e ekonomik të Kosovës. Ajo që i bën bashkë partnerët tanë ndërkombëtarë janë vlerat e përbashkëta dhe besimi se këto janë universale që duhet të mbrohen me çdo kusht. Qëllimet, vizionet, vlerat e interest i kemi të përbashkëta”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, tensionet në veri janë rritur nga 26 maji, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – të hyjnë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.