Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv i institutit INDEP, ka thënë se 16 deri në 18 për qind e të hyrave të qytetarëve shkojnë në pagesa për energjinë elektrike.
Sipas tij, qeveria duhet të gjejë forma subvencionimi shtesë për qytetarët.
“Çmimi i rrymës llogaritet sa janë të hyrat. Nëse rroga mesatare në Kosovë është 570 euro dhe fatura mesatare e rrymës sillet rreth 80 euro, ne i bie që paguajmë 16-18 për qind të hyrave për faturë energjie…. Nëse i ke në Kosovë 60 mijë familje me më pak se 350 të hyra e paguajnë 50 euro, për ta i bie më shumë se 10% të hyrave totale me pagu vetëm një shërbim. Këtu është problemi që duhet të diskutohet”, u shpreh ai.
Ejupi, ka thënë se Kosova është e varur nga importi i energjisë elektrike, andaj nevojitet ngritje e kapaciteteve.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, mbi debatin nëse do të rritet çmimi i rrymës, Ejupi ka thënë se një alternativë më e pranueshme do të ishte kontraktimi i rrymës më parë nga ana e KESCO-s.
Sipas tij, një praktikë e tillë shihet në vendet e rajonit.
“Ne jemi të varur nga importi. Kur je i varur nga importi çfarë duhet të bëjmë është t’i ngremë kapacitetet tona, ose një gjë që nuk e bën KESCO apo ZRRE-ja është një propozim që e kemi dhënë – pse KESCO nuk e parapaguan apo nuk e kontrakton rrymën më parë. Mund të kontraktohet verës, e paguan çmimin më lirë, por ne shkojmë secilën herë një ditë më herët. Kjo është në interes të të gjitha palëve, vendet në rajon i kontraktojnë shumë më herët”, ka thënë Ejupi.